Zëvendëskryetari i
Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot në hapësirat e Sekretariatit
për Çështje Evropiane mbajti takim me Ministrin Shtetëror Gjerman për Evropë,
Mihael Roth.
Zëvendëskryeministri
Osmani fillimisht shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe përkushtimin e
vazhdueshëm të Gjermanisë në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian të
vendeve të Ballkanit Perëndimor, reflektuar edhe përmes iniciativës “Procesi i
Berlinit”.
Në vazhdim të takimit
Osmani iu referua edhe rëndësisë së periudhës në të cilën gjendet vendi ynë në
rrugën e saj euro- integruese, në kontekst të vendimit të më hershem të
Këshillit të Evropës për kornizë kohore prej 12 muajsh, apo qershor të vitit
2019, për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më pas,
fokusi u vendos në përgatitjen e negociatave përmes skrining procesit si dhe
thellimin e reformave dhe dhënien e rezultateve konkrete në pjesën e
gjyqësorit, shërbimet e sigurisë, administratës publike duke mos e anashkaluar
edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të gjitha
fushat tjera kyçe.
“Jemi të vetëdijshëm për
kompleksin e procesit, që përfshin një pjesë të madhe të legjislacionit të
Bashkimit Evropian, i cili duhet të transponohet në legjislacionin nacional,
por këto janë përfitime që çojnë drejt transformimit themelor të vendit në
shoqërinë demokratike evropiane, me një treg funksional ekonomik, institucione
efektive dhe administratë profesionale” – shtoi Osmani. Sekretariati për
Çështje Evropiane dhe administrata e saj kanë përvojë shumëvjeçare, para se
gjithash në implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, si dhe me infrastrukturën
e saj të vendosur e cila është e gatshme për ti përmbushur gjitha sfidat.