Lajme
OSMANI: ATË QË E PREMTUAM PARA NËNTË MUAJSH – E BËMË !
12.4.2018 12:23
Zëvendëskryetari i
Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në
Bruksel, mbajti takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë
të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nën-Presidenten e Komisionit Evropian,
Federika Mogerini.
Në takim, Osmani
prezantoi progresin e implementimit të Planit 3-6-9, si dhe progresin e
realizimit të pengesave tjera politike në rrugën euro –integruese të Republikës
së Maqedonisë. “Vij me lajme të mira nga Republika e Maqedonisë. Ashtu siç edhe
premtuam para nëntë muajve, i bëmë brenda afatit reformat për Raportin e Komisionit Evropian
që pozitivisht të vlerësohet progresi ynë” theksoi Osmani në takim, duke iu
drejtuar realizimit përkatës të Plani 3-6-9, implementimi i së cilës përfundon
me publikimin e Raportit të Komisionit Evropian me 17 prill.
“Pjesën tre të Planit
3-6-9 e kurorëzuam me mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të lira, dhe të
besueshme që në nëntor të vitit të kaluar, e cila u konfirmua edhe në Raportin
e OSBE/ODIHR, konkluzionet e së cilës u konfirmuan edhe nga ana e Delegacionit
të Bashkimit Evropian në Maqedoni” – theksoi Osmani. Ai shtoi se gjatë periudhës
së kaluar Qeveria përgatiti një varg strategjish dhe ligje të rëndësishme
reformatore, që në një procedurë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me përfilljen
e mendimeve të opozitës, sektorit civil dhe publikut, që në masë të madhe janë miratuar
nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. “Edhe në këtë moment, në këto ditë të
fundit, deri sa mbajmë këtë takim, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, po miratohen
edhe ligjet e fundit reformuese për të cilat është e nevojshme përkrahja e dy
te tretave të deputetëve dhe për çka në momentin e fundit, me opozitën, u sigurua konsensusi i nevojshëm” – theksoi
Osmani.
Në pjesën e shmangies
së pengesave politike, Osmani theksoi miratimin e ligjit për përdorimin e
gjuhëve si segment fundamental e pjesës legjislative të marrëveshjes Kornizë,
duke shprehur shpresë se implementimi i ligjit do të demonstroj forcën e saj
unifikuese në drejtim të ndërtimit të shoqërisë së fortë, të qëndrueshme,
prosperuese dhe multi-kulturore të Republikës së Maqedonisë.
“Realizuam progres
historik edhe në marrëdhënie me fqinjët. Nënshkruam, dhe pas saj e ratifikuam edhe
në Kuvend, Marrëveshjen historike për fqinjësi të mirë me Bulgarinë, si dhe
realizuam progres të rëndësishëm në komunikim me Greqinë”- theksoi Osmani, duke
shtuar se në periudhën e ardhshme, pret vendim edhe për kontestin shumëvjeçar
me Greqinë, me të cilën do të shmangen gjitha pengesat ne rrugën euro-
integruese të Republikës së Maqedonisë.
Takimi Osmani- Mogerini
realizohet në prag të publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për
gjendjen dhe progresin e Republikës së Maqedonisë, i cili do të del për më pak
se një javë, me 17 prill. Në kuadër të vizitës, Osmani do të realizoj takime
edhe me përfaqësues tjerë të lartë të organeve të Bashkimit Evropian, mes të
cilëve edhe me Genoveva Ruiz Kalavera, Drejtoreshë e Departamentit për
Ballkanin Perëndimor pranë Drejtorisë për zgjerim – DGNEAR, si dhe me
euro-parlamentarin Holandez Hans Van Baalen i cili kryeson grupin – “Miqtë e
Maqedonisë” në Parlamentin Evropian, si dhe me Pjotr Sefarin, Shef i Kabinetit
të Kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk.
Çdo ndërhyrje dhe keqpërdorim i faqes në internet të SÇE-së dënohet sipas Nenit 251 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë Veriore.
© 2024 SEKRETARIATI PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
Të gjitha të drejtat e rezervuara.