Ademi, Klark dhe Vinton në takim për projektet e realizuara me UNDP
24.3.2017 17:09
Sot Zëvendëskryeministri Arbër Ademi së bashku me
Administratoren e UNDP-së, Helen Klark dhe koordinatoren e përhershme njëherit
përfaqësuese e UNDP-së në Maqedoni, Luiza Vinton, kryetarja e komunës së
Tetovës, Teuta Arifi, dhe Ministrja e vetëqeverisjes lokale Shiret Elezi,
vizituan projektet e financuara nga UNDP në Tetovë.
Zëvendëskryeministri Ademi gjatë bisedës në veçanti
theksoi mbështetjen e vazhdueshme të UNDP-së për zhvillimin në nivel nacional
dhe lokal, përmes realizimit të një numri të madh të projekteve konkrete. Ademi
dhe Klark, gjithashtu biseduan për format e bashkëpunimit të deritanishëm dhe
mundësitë për thellimin e të njëjtave. Zëvendëskryeministri Ademi, theksoi se
bashkëpunimi me zyrën e UNDP-së në Shkup, është në nivel jashtëzakonisht të
lartë, që rezulton edhe me një numër të madh të projekteve të suksesshme në
shumë sektorë, nga të cilat varet zhvillimi i përgjithshëm i vendit, si dhe
mbështetja në procesin e integrimit evropian. Në veçanti u theksua ndihma e UNDP-së
në pjesën e menaxhimit me krizat dhe sanimin e dëmeve nga vërshimet e fundit,
si dhe preventiva nga katastrofat e reja.
Ademi theksoi se mbështetja nga ana e UNDP-së është
veçanërisht e mirëpritur në fushën e qeverisjes së mirë, mjedisit jetësor dhe përfshirjes
sociale, në përputhshmëri me qëllimet strategjike të Republikës së Maqedonisë
për zhvillim dhe aderim në BE.
Zëvendëskryeministri Ademi, gjatë ditës së sotme në
hapësirat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë mori pjesë në takimin
bilateral me Kryetarin e Qeverisë, Emil Dimitriev dhe
Administratoren e UNDP-së, Helen Klark.