Lajme
24.1.2017 14:40
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi mori pjesë në takimin joformal të ministrave për çështje Evropiane në Valetë, Maltë, organizuar në kuadër të presidencës së Maltës me Këshillin e Bashkimit Evropian. Gjatë takimit përfaqësuesit e vendeve kandidate kishin mundësi të paraqesin qëndrimet e tyre para kolegëve tjerë të vendeve anëtare të BE-së.
Zëvendëskryeministri Ademi theksoi se Republika e Maqedonisë është e përgatitur të bashkëpunojë me Maltën dhe me Bashkimin Evropian, si partner i saj i dëshmuar, në luftën kundër çdo kërcënimi që mund të shfaqet në kufirin tonë apo në kufijtë e jashtme të BE-së. “ Roli ynë konstruktiv në mbylljen e rutës së Ballkanit perëndimor për migrantët ilegal, është shenjë e qartë se mund të punojmë bashkërisht në mënyrë të koordinuar për të mirën e qytetarëve tanë dhe qytetarëve të Bashkimit Evropian” theksoi Ademi.
Ademi theksoi se procesi i zgjerimit duhet të rikthehet në agjendën e BE-së si urgjent dhe i nevojshëm, njëkohësisht institucionet e BE-së duhet të përcjellin mesazh të qartë dhe bindës qytetarëve të Bashkimit Evropian për dobitë e shumta, direkte dhe indirekte, nga procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Kemi dëshmuar se jemi të gatshëm dhe të aftë të realizojmë të gjitha reformat e duhura nëse na jepet mundësia” – theksoi Ademi.
Gjatë diskutimeve shumë përfaqësues të vendeve anëtare theksuan rëndësinë që politika e zgjerimit të qëndrojë lartë në agjendën e BE-së sepse ajo është investim në paqe dhe stabilitet për gjithë kontinentin, ndërkaq vendeve anëtare duhet t’ju jepet vizion i qartë për perspektivën e tyre evropiane.