Lajme
21.4.2016 15:36
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi sot realizoi takim pune me Ambasadoren e Republikës së Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, z-nja Kristine Althauzer.
Në takim, Zëvendëskryeministri Ademi dhe Ambasadorja Althauzer diskutuan për krizën politike në vend, duke theksuar se të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes politike duhet të plotësojnë detyrimet e tyre për tejkalimin e gjendjes aktuale.
Zëvendëskryeministri Ademi shprehu besimin e tij se edhe përkundër gjendjes aktuale, Republika e Maqedonisë vazhdon të mbetet e orientuar kah qëllimi i saj strategjik, integrimi Euro-Atlantik. “Ne duam të bëhemi sa më parë anëtar të NATO-s dhe gjithashtu të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE” - theksoi Ademi.
Zëvendëskryeministri Ademi shprehu falënderim për mbështetjen e deritanishme të Gjermanisë për vendin tonë, në pritje se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Republika e Maqedonisë dhe Republika Federale e Gjermanisë kanë marrëdhënie të mira bilaterale, të cilat vihen në dukje edhe nga bashkëpunimi i ngushtë si partnerë strategjik, i cili realizohet mes projekteve të caktuara të përbashkëta, si dhe mbështetjes të drejtpërdrejtë mes zyrës së GIZ-it.