Lajme
25.4.2019 12:19
Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar
Osmani, mbajti takim me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, në
të cilën u shkëmbyen informacione dhe mendime për më shumë tema aktuale.
“Incidenti me ndërhyrjen në Bashkësinë Fetare
Islame, paraqet akt të turpshëm që kërcënon sekularitetin e vendit dhe
autonominë e garantuar me kushtetutë të bashkësive fetare në Republikën e
Maqedonisë së Veriut, dhe nga Qeveria pres por edhe institucionet tjera të
ndërmarrin aktivitete me të cilat do të mbrojnë pavarësinë e BFI-së”, theksoi
Osmani, duke potencuar se incidentet e tilla me siguri në mënyrë negative do të
ndikojnë në marrëdhëniet stabile ndëretnike, që paraqesin fryt të mundit
shumëvjeçar dhe sjelljes së kujdesshme. “Aktualisht marrëdhëniet ndëretnike
janë stabile dhe të forta, dhe me të jemi veçanërisht krenar, por ajo nuk është
diçka që mund të merret si e gatshme, por përkundrazi, medoemos duhet në mënyrë
aktive të punojmë në mirëmbajtjen e tyre” – theksoi Osmani.
Në vazhdim, Osmani dhe Koja diskutuan për
mundësitë për realizimin e projektit për analizë statistikore dhe cilësore të
vendimeve gjyqësore, me të cilat do të vërtetohet objektiviteti i aktgjykimeve
në përputhje të përkatësisë etnike të të akuzuarve, si mënyrë meritore për
përcaktimin e objektivitetit dhe jo-selektivitetit në punën e gjykatave.
Projekti parasheh analizë profesionale statistikore, ku lëndë e përpunimit do
të ishin ngjarjet e njëjta të akuzave, ku do të analizoheshin lartësitë e
aktgjykimeve dhe korrelacioni i tyre statistikore në përputhje me përkatësisë
etnike të të akuzuarve. Këto projekte kanë sukses të jashtëzakonshëm në
vërtetimin e anësimeve eventuale dhe
subjektivizmit të skenës gjyqësore në shoqëritë bashkëkohore, si bazë për
adresimin e këtyre çështjeve objektive dhe pa paragjykime.
Në fund, Osmani dhe Koja shprehën kënaqësi nga
mënyra se si u organizua dhe u zbatua rrethi i parë i zgjedhjeve, duke pritur
se ky sukses do të përsëritet edhe në rrethin e dytë, me çka edhe zgjedhjet në
përgjithësi do ta reflektojnë pjekurinë demokratike dhe politike të vendit.