Lajme
07.12.2017 18:21
Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani kishte takim me Ambasadorin e Republikës së Çekisë, Miroslav Toman.
Në takim u hapën tema për bashkëpunim bilateral mes dy vendeve, për procesin euro- integrues të Maqedonisë, si dhe për mbështetjen Çeke për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi bilateral mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Çekisë nga ana e dy bashkëbiseduesve u vlerësua si solide, ku u theksuan edhe fushat në të cilat e njëjta do të thellohet.
Lidhur me procesin euro- atlantik të Maqedonisë, Osmani shprehu kënaqësi nga mbështetja e deritanishme për euro integrimin e vendit nga ana e Çekisë, si në kuadër të Bashkimit Evropian, ashtu edhe në kuadër të vendeve të grupit të Vishegradit. Osmani ia prezantoi Planin 3-6-9 ambasadorit Toman, dhe angazhimin e Qeverisë për realizimin e plotë të të gjitha rekomandimeve, kërkesave dhe vërejtjeve nga ana e miqve evropian. Plani 3-6-9 paraqet tërësi unike të tre pjesëve të tij dhe në të janë implementuar të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet relevante të cilat janë shënuar si pengesë për integrimet tona euro-atlantike.
“Kemi afate të shkurta, koha është faktor serioz, por Qeveria dhe institucionet tjera fuqishëm janë angazhuar në reformat dhe në kohë do të realizojnë rezultatet e premtuara”. – theksoi Osmani. Ai shtoi se Qeveria dhe qytetarët presin hapa konkrete nga ana e Unionit në drejtim të afrimit tonë drejt Bashkimit Evropian.