Lajme
02.11.2022 01:57
Për të siguruar një inkluzivitet sa më të madh shoqëror në procesin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, dje u realizua takim me përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë ne vend.
Nikoqire e takimit ishte Zëvendës kryenegociatorja e RMV për anëtarësim në BE dhe njëherit Sekretare shtetërore në SÇE znj. Drita Abdiu Halili, e shoqëruar nga eksperti i angazhuar kroat dhe Kryenegociator i dikurshëm i Kroacisë për anëtarësim në BE z. Vladimir Drobnjak, si dhe këshilltari shtetëror në SÇE z. Dragan Tilev.
Z.Drobnjak theksoi rëndësinë për kyçjen proaktive të shoqërisë akademike në procesin e negociatave, duke vënë njohuritë e tyre profesionale në funksion t mbarëvajtjes së procesit të bisedimeve për anëtarësim të plotë të vendit në Bashkimin Evropian.
Ekspertiza e shoqërisë akademike është jo vetëm e nevojshme por e domosdoshme për të arritur përcaktimin tonë strategjik si shtet për anëtarësim të plotë në BE.
Bashkëpunimi me profesorët dhe përfaqësuesit e shoqërisë akademike do të jetë i nevojshëm në të gjitha fushat dhe kapitujt, me qëllim intepretim sa më të saktë të legjislacionit të BE-së, të cilin ne do të duhet ta harmonizojmë dhe implementojmë në praktikë përgjatë procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.
Gjithashtu falënderojmë donatorët e mbështetjes Nordike për përkrahjen e tyre të vazhdueshme ne realizimin e ngjarjeve të tilla.